February 23, 2024

ATSH në shkollën profesionale “Rakip Kryeziu” në Fier, të rinjtë orientohen në zanatet e biznesit bujqësor e blegtoral

Të rinjtë gjithnjë e më shumë po i drejtohen arsimit profesional, si rruga më e sigurtë drejt punësimit.

Reklama

Agjencia Telegrafike Shqiptare ishte këtë javë në Fier, ku vëzhgoi nga afër procesin mësimor në shkollën profesionale “Rakip Kryeziu”, ku Bujqësia, Blegtoria, Infermieria dhe “Teknologjia e Informacionit” janë degët të cilat kanë interes gjithnjë e më të lartë nga të rinjtë e zonës dhe jo vetëm, pasi shkolla disponon një konvikt me kushte moderne. Ndërkohë, risi për shkollën është dhe mundësia që nxënësit të zgjedhin degën e agroturizmit në vitin e tretë.

Bleta

“Në këtë vit mësimor, në krahasim me vitin mësimor 2022-2023, trendi i nxënësve ka ardhur duke u rritur. Shkolla jonë është në një projekt të përbashkët mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare, që synon ta kthejë shkollën në një qendër multifunksionale dhe në një qendër ekselence në fushën e zhvillimit të biznesit bujqësor dhe në trajnimin e fuqisë punëtore në sektorin e Bujqësisë, jo vetëm për qarkun e Fierit, por për të gjithë Shqipërinë”, tha për ATSH, drejtori i Shkollës Profesionale “Rakip Kryeziu”, Alket Merdanaj.

Sipas tij, në këtë shkollë është ndërmarrë një investim i përbashkët mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare. “Është investuar në godinën kryesore dhe në godinën e konviktit, që i është nënshkruar rikonstruksionit total. Shumë shpejt do të nisi edhe ndërtimi i bazës prodhuese, me të gjitha standardet më të mira, për të ofruar rritjen profesionale të nxënësve, por edhe për të pasur përfitime ekonomike dytësore për shkollën. Gjithashtu do të investohet edhe në një serrë 4000 metër katrorë të standardeve të më larta teknologjike, që do të shërbejë jo vetëm për praktikat profesionale, por ku shkolla do përpiqet të vjelë të ardhura dytësore përmes aktivitetit të vet bujqësor”, tha Merdanaj më tej.

Ilva Kalemi, nxënëse e vitit të parë për shërbime sociale dhe infermieri, tha se ka zgjedhur këtë degë, pasi tregu i punës ofron mundësi konkrete punësimi. “Jam në vitin e parë. Sapo përfunduam orën e italishtes. Më pëlqen kjo degë pasi më jep mundësi t’iu vijë në ndihmë njerëzve dhe po ashtu është një profesion, që ka kërkesa në tregun e punës”, tha ajo.

Klajdi Veizi, nxënës i vitit të parë për infermieri tha se i pëlqen të jetë pranë njerëzve që kanë probleme shëndetësore, teksa shtoi se “Shqipëria ka shumë nevojë për infermierë”.

Ermal Yzeiri, drejtues i Njësisë së Zhvillimit, u shpreh për ATSH se, “Shërbimet Sociale Shëndetësore ose infermieria i realizon praktikat mësimore në spitalin rajonal të Fierit, në qendrat shëndetësore të Fierit dhe një pjesë sipas titullit të modulit në qendrat shëndetësore apo shtëpinë e të moshuarve”, tha Yzeiri.

Veronika Baboçi, mësuese e Departamentit të Veterinarisë, tha se interesi për degë si veterinaria vjen për shkak të nxitjes që të rinjtë kanë nga tregu i punës dhe familja.

“Më së shumti janë të interesuar për mbarëvajtjen e kafshëve bujqësore, pasi edhe zhvillimi që ka marrë sot ferma blegtorale e kërkon një gjë të tillë, me qëllim rritjen e rendimentit në prodhimit të qumështit, mishit..etj. Është një degë e zgjedhur ndoshta dhe nga familjarët e tyre, por edhe e diktuar nga tregu i punës”, tha Baboçi.

Eduard Ishilaj, nxënës i viti i tretë për veterinari nënvizoi se qëllimi i tij është të hapë vetë një klinikë për të kryer ndërhyrjet kirurgjikale të kafshët. “Kam ndjekur degën e veterinarisë pasi ma ka transferuar këtë pasion babai im, që është veteriner i zonës së Llakatundit. Pas mbarimit të shkollës profesionale, dua të vazhdojë shkollën e lartë për veterinari në Universitetin Bujqësor në Tiranë. Kemi bërë praktikë në zona të ndryshme dhe tek baza e shkollës. Në përfundim të universitetit, do zgjedh të specializohem për kirurgji dhe pse jo të kem dhe klinikën time”, tha ai.

Gert Xhafaj, nxënës i vitit të parë për veterinari, rrëfeu se shkollën në fjalë e ka zgjedhur për shkak të këshillës që ka marrë nga një veterinere mikeshë e tij, që ka përfunduar shkollën pikërisht tek “Rakip Kryeziu”.

“Ndjek veterinarinë. Këtë shkollë ma rekomandoi një mikja ime që ka përfunduar këtu për veterinere. Më pëlqyen mësuesit dhe shkolla. Për këtë profesion ka kërkesë jo vetëm në Shqipëri, por dhe jashtë saj. Nëse arrij, pse jo të kem dhe një biznes timin në fushën e veterinarisë”, tha ai.

ATSH vrojtoi nga afër dhe bazën prodhuese të shkollës profesionale “Rakip Kryeziu”

“Në ambientet e bazës prodhuese, kemi 11 krerë lopë të racave të ndryshme, 20 krerë dele. Këtu bëhen praktikat profesionale, 70% e realizojmë në shkollë, ndërsa pjesa tjetër kemi kontrata bashkëpunimi me biznese të ndryshme. Kemi kryerjen e injeksioneve në kafshë, metodat e fiksimit, kontrollit, monitorimit shëndetësor, mirëmbajtjes, ushqimit…etj”, theksoi Ermal Yzeiri, drejtues i Njësisë së Zhvillimit.

Anila Gero, mësuese e Departamentit të Bujqësisë u bëri apel të gjithë atyre që kanë në pronësi tokë apo ferma blegtorale të shkollojnë fëmijët e tyre në arsimin profesional.

“Është shumë e rëndësishme që nxënësit apo fëmijët e fermerëve të ndjekin drejtimin mësimor bujqësi, pasi secili nga këta fermerë kanë në pronësi të tyre tokë, që duhet të mbillet dhe duhet menaxhuar që prodhimet të tregtohen brenda dhe jashtë Shqipërisë. Vetëm këtë vit kemi pasur goxha regjistrime në krahasim me vitin e shkuar në bujqësi dhe veterinari”, tha ajo.

Blerina Ahmeti, nëndrejtoresha e konviktit, tha se “menca ofron ushqim tre herë në ditë me një dietë sipas një vendimmarrjeje të këshillit drejtues të konviktit. Kemi 22 dhoma, banojnë 4 nxënës në dhomë. Secila ka tualetin më vete. Kanë orarin e studimit tek biblioteka ku çdo pasdite vijnë nxënësit. Ka kompjuterë, materiale ndihmëse dhe është realizuar në bashkëpunim mes qeverisë shqiptare dhe Italisë”, tha ajo.

Shkollat profesionale në vendin tonë tashmë kanë në pjesë të tyre dhe njësinë e zhvillimit, e cila synon lidhjen e nxënësit me tregun e punës, praktikat mësimore, binjakëzimet apo dhe universitetin, për ata që duan të thellojnë njohuritë e tyre tek fusha e përzgjedhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *