Pastiçeri Bleta Premium

Dhunimi për vdekje i inxhinierit, 33-vjeçari sulmoi viktimën se s’i dha apartamentin shpërblim!

Një borxh i pashlyer u bë shkaku i një vrasjes së inxhinierit 55-vjeçar Armando Meshaut mesditën e 7 gushtit në Vlorë. Gjithçka nisi me një përplasje fizike mes djalit të anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë Rei Meta dhe viktimës Armando Meshau, që më vonë përshkallëzoi deri në vdekjen e inxhininerit.

Detaje të reja kanë dalë në dritë për ngjarjen e rëndë të ndodhur rreth orës 11:45 të mesditës në ambientet e një kancelarie në Vlorë, ku humbi jetën 55-vjeçari.

Reklama

Viktima ndodhej në kancelarinë nga ku u nxor i pajetë për të printuar disa dokumente, por është konfliktuar me autorin 33-vjeçar, të identifikuar si shtetasi Rei Meta.

Mësohet se autori dhe viktima kanë pasur një konflikt të pazgjidhur, që ka qenë i mbartur prej mëse 8 muajsh. Nga hetimet zbulohet se 33-vjeçari kishte ndërhyrë si sekser për një prej pronave që biznesmeni i ndjerë i ndërtimit kishte interes, duke i premtuar garanci se do t’i zgjidhte punë.

Rei Meta kishte premtuar zgjidhje për pronën e Armando Meshaut, duke përdorur emrin e të ëmës, që është anëtarja e KLP-së Nurihan Seiti Meta.

Në këmbim i riu do të përfitonte një apartament që do t’i falej nga ndërtuesi i njohur në qytetin bregdetar. Por, Meta kishte dështuar në rolin e tij si sekser dhe 55-vjeçari kishte zgjidhur çështjen që e shqetësonte duke shfrytëzuar lidhjet me palë të treta.

Pavarësisht kësaj, 33-vjeçari pretendonte se për “punën” që kishte marrë përsipër, ndërtuesi duhet t’i falte apartamentin dhe kjo ka nxitur konfliktin mes tyre, i cili u mbyll tragjikisht këtë të hënë.

I ndjeri kishte refuzuar t’ia kalonte në pronësi apartamentin Rei Metës dhe kur janë përballur në dyert e kancelarisë debati mes tyre ka degjeneruar në fyerje dhe përdorimin e grushteve.

Meshau ka ofenduar 33-vjeçarin duke i thënë se nuk ka për ta marrë apartamentin, ndërsa ky i fundit i është përgjigjur me dhunë fizike, duke e qëlluar dy herë me grusht në fytyrë 55-vjeçarin, i cili ra pa ndjenja në tokë, duke humbur jetën në vend.

Sakaq, autori Rei Meta u arrestua nga policia e Vlorës pak pasi ndodhi ngjarja.

“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 11:45, në një qendër interneti, në lagjen “Hajro Çakërri”, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet 2 shtetasve, për shkak të dhunës fizike të ushtruar ndaj tij (goditjeve me grushte), humbi jetën shtetasi A. M., ju informojmë se: Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të këtij rasti, shtetasit R. M., 33 vjeç, banues në Tiranë, i cili aktualisht është shoqëruar në ambientet e Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale”, njoftoi policia./dritare.net

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *