Fieri Sot

Lajmet e fundit nga fieri

Kombëtarja e vajzave, Gjini dhe Bajraktari: Ditë të vlefshme për ne, rrisim nivelin e skuadrës

Prej ditës së hënë, Kombëtarja e vajzave është rikthyer në fushë, ku po zhvillon një grumbullim rutinë 7-ditor në Ulqin të Malit të Zi, me qëllimin për të parë nga afër gjendjen fizike të skuadrës dhe lojtareve kuqezi, si edhe për të vijuar përgatitjet në kuadër të ndeshjeve të ardhshme të ekipit.

Nën urdhrat e trajnerit Armir Grima, 22 futbollistet shqiptare po kryejnë seanca stërvitore intensive, dy herë në ditë. Në kuadër të këtij grumbullimi rutinë, fshf.org intervistoi dy prej futbollisteve kuqezi, Luçije Gjinin dhe Arbiona Bajraktarin.

Mesfushorja e ekipit kombëtar, Luçije Gjini thotë se këto kanë qenë ditë shumë të ngarkuara për skuadrën, teksa pavarësisht lodhjes i konsideron si mjaft të vlefshme. “Këto ditë kanë qenë shumë të ngarkuara për ne sepse kemi pasur nga dy seanca stërvitore në ditë. Kanë qenë ditë me ngarkesë të lartë, por kjo është një gjë e mirë sepse na ndihmon të rrisim nivelin e skuadrës”- thotë Gjini për fshf.org, ndërsa flet edhe për elementet e reja që i janë bashkuar skuadrës kuqezi.

“Janë afruar edhe disa elementë të rinj në skuadër. Besoj se do përshtaten shumë mirë me ne dhe mendoj se edhe vajzat e reja janë paraqitur mirë këto ditë në stërvitje. Besoj se do jenë elemente të mira që do i shërbejnë skuadrës në të ardhmen”- përfundon Luçije Gjini për fshf.org.

Ndërkaq, Arbiona Bajraktari rikthehet në radhët e ekipit kuqezi pas një kohe të gjatë jashtë fushe. Mbrojtësja kuqezi nisi grumbullimin së bashku me skuadrën të hënën, teksa nuk e fsheh lumturinë që është rikthyer në ekip.

“Pas një kohe shumë të gjatë, pas dëmtimeve të njëpasnjëshme që kam pasur, tani jam rikthyer dhe uroj që i kam lënë pas të gjitha dëmtimet dhe të jem në formën time më të mirë që t’i shërbej skuadrës”- thotë për fshf.org Arbiona Bajraktari, e cila flet edhe për grumbullimin me kombëtaren në Ulqin dhe si kanë kaluar këto ditë me vajzat kuqezi.

“Atmosfera është shumë e mirë. Kanë ardhur edhe shumë lojtare të reja që do të na shërbejnë dhe do të na ndihmojnë edhe në vitet në vazhdim. Edhe për mua ka qenë ndihmesë shumë e madhe që të stërvitem dhe të jem pranë ekipit”, u shpreh ajo.

Elementët e rinj në skuadër?- Janë lojtare dhe vajza shumë të mira. Kemi shumë harmoni me njëra-tjetrën dhe janë përshtatur mirë me ekipin kombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *