Pastiçeri Bleta Premium

Trifoni: Derbi të jep zemër, viti i Apolonisë

Apolonia e nisi me këmbë të mbarë sezonin e ri. Fierakët kanë mposhtur në shifrat e thella 0-3 Lushnjën, në një ndeshje derbi të zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”. Fusha asnjanëse rezultoi fatsjellëse, pasi morën trepikëshin që u dha edhe kreun. Ishte Xhovalin Trifoni që dha avantazhin, duke i hapur rrugë fitores. Ka tri sezone që përfshihet hera- heres me ekipin e parë, por ky është i pari gol si profesionist. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi nuk e quan befasues rezultatin. Ndonëse vetëm 18 vjeç, ai mundohet që të qëndrojë me këmbë në tokë dhe të njëjtën gjë pret edhe nga pjesa tjetër e skuadrës.

Tre gola që në start. E prisnit që do të shkonte kështu java e pare?

Reklama

Te tregohem i sinqertë, ishim shumë të motivuar për ta nisur mbarë garën. Start perfekt nuk mund të kishte. E nisëm me një fitore të pastër dhe mbi të gjitha në derbi. Por, ky është vetëm fillimi. Ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, nuk ka aspak vend për eufori.

Derbi ndaj Lushnjës u fitua bindshëm. Sa vlerë e rëndësi kishte kjo fitore për Apoloninë?

Pikësëpari kjo fitore e parë, për më tepër e arritur ndaj Lushnjës, na rrit besimin dhe shton oreksin për vazhdimësinë. Gjithmonë ka rëndësi triumfi, por të triumfosh në ndeshje derbi merr vlerë të dyfishtë. U gëzohemi jashtëzakonisht pikëve të marra, sepse këte të fundit u morën me loje bindëse. Ky është mentaliteti ynë në fakt, jo vetëm të marrim pikë, por edhe të bindim në lojë.

Gjetët rrugën e rrjetës në minutën e 19-të. Si ndiheni për golin e parë si profesionist?

Jam jashtëzakonisht i emocionuar për golin tim të parë si profesionist. Ku ka më bukur sesa të shënosh që në ndeshjen tënde të parë, por më e rëndësishme është ndihma për skuadrën në marrjen e pikëve të plota. Thënë më shkurt, pata dy gëzime të dielën.

Cili është synimi juaj në aspektin personal?

Dëshiroj e synoj të luaj sa më shumë. Dua të jap maksimumin tim për këtë fanellë të rëndë. Shpresoj shumë që goli im i parë të jetë ogur i mirë për ndeshjet e tjera. Ky eshtë vetëm fillimi, por kur fillimi është i mbarë, thuajse është realizuar gjysma e punës

Skuadra fierake është e përbërë kryesisht me lojtarë të rinj në moshë. Mund t’ju penalizojë ky fakt?

Perkundrazi. Mendoj se këta djem të rinj dhe të talentuar janë shumë të motivuar për të dhënë maksimumin. Secili dëshiron të tregojë sa vlen. Për mendimin tim, grupi është çelësi i suksesit te fierakëve ose më saktë fryma, dëshira, harmonia dhe pozitiviteti që mbizotëron. Ne mbështesim sistematikisht njëri-tjetrin, pavarësisht rezultatit të marrë.

Sa larg mund të shkojë kjo Apoloni?

Shumë herët të flasim për këtë gjë. Le t’ia lemë më mirë fushës së lojës, sepse ne do t’i marrim ndeshjet një e nga një, me seriozitet, përkushtim dhe përgjegjësi. E sigurt eshtë që do të bëjmë gjithçka për të qenë ndryshe këtë sezon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *